Foto e artikullit

BUNK’ART - 70 vjet pas çlirimit

Ky projekt, unik në llojin e tij nën formën e një ekspozite video-muzeale, hap horizontin e një ndërtimi të memories kolektive shqiptare, vlerë kombëtare e munguar këto 25 vitet e fundit. Projekti lindi pikërisht nga ideja e një rindërtimi të kësaj vlere në një moment kur celebrohet edhe 70 vjetori i çlirimit. U zbatua në mjediset e bunkerit anti-bërthamor që Enver Hoxha ndërtoi në Tiranë mes viteve 1970 dhe 1972.

Struktura përbëhet nga 160 dhoma të shpërndara në pesë nivele, ku përfshihet dhe një auditorium. Ekspozita ishte një rast i veçantë për hapjen e parë për publikun të bunkerit, deri më tash i mbetur në dispozicionin ekskluziv të ushtrisë dhe i përdorur vetëm disa herë për stërvitje ushtarake.

Bunkeri i konceptuar dhe ngritur për të strehuar të gjithë linjën e komandës së qeverisë në rast të një bombardimi të mundshëm kimik apo atomik ndaj kryeqytetit shqiptar, shërbeu gjatë implementimit të projektit si ambient sugjestionues për Ekspozitën video-muzeale. U përdor vetëm një pjesë e strukturës dhe konkretisht, ajo që nga niveli i pestë shkon deri tek auditoriumi, i cili ndodhet në nivelin e tretë, me një total prej 40 dhomash.

Ekspozita kishte si objektiv atë të rievokimit të ngjarjeve kryesore historike në periudhën mes 1939 dhe 1944 me kujtime menjëherë para pushtimit italian dhe menjëherë pas Çlirimit. Ekspozita vuri në dukje, me një kontekst qartësisht muzeal, karakteristikat e ndërtimit dhe specifikat teknike që ndodhen brenda tij, të ndërtuara nga regjimi për të përballuar një sulm nga armiqtë.

Falë veçantisë së kontekstit ambiental, ekspozita kishte si qëllim dhe ja arriti në mënyrën më të mirë të mundshme të bëhet dhe një rast për të shprehur, në atë që është simbol i diktaturës dhe Luftës së Ftohtë, mundësinë e krijimtarisë dhe të artit modern: Për këtë arsye u ftuan për të marrë pjesë edhe artistë të rinj shqiptarë, të cilëve iu vunë në dispozicion disa dhoma të bunkerit ose mjedise të tjera në korridore, për të krijuar instalacionet e tyre.

Gjatë implementimit të projektit Bunk’Art, brenda ambienteve ishin prezente: ekspozita video-muzeale, video-instalacione, tinguj, drita, imazhe, objekte dhe pajisje dixhitale për të rikrijuar një rrugëtim historiko-emocional që gjatë ditëve të çeljes ishte i hapur edhe për vizita shkollore, me qëllim që bunkeri dhe përmbajtja e tij, të përbëjë rastin e një reflektimi dhe të një njohjeje për më të rinjtë, të historisë kombëtare.