Foto e artikullit

Organizatat e shoqërisë civile, rol cilësor në zhvillimin e sipërmarrësisë sociale në Shqipëri

Qendra URA mori pjesë konferencën kombëtare “Roli i Organizatave të Shoqërisë Civile në zhvillimin e Sipërmarrësisë Sociale në Shqipëri”, në kuadër të komponentit P2P të Projektit Rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian, TACSO – Asistenca Teknike për Organizatat e Shoqërisë Civile, organizuar në Tiranë në datat 11-12 Mars.

Qëllimi i këtij aktiviteti që u ndoq nga mbi 120 përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria Shqiptare, Delegacioni i BE-së në Tiranë, organizatat jofitimprurëse dhe organizatat e biznesit, ishte njohja me konceptet dhe parimet e funksionimit të ndërmarrjeve sociale, modelet e zhvillimit duke evidentuar përfitimet e tyre për organizatat e shoqërisë civile, institucionet publike dhe komunitetin në përgjithësi, si dhe shkëmbimi i përvojave evropiane dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.

Në përfundim të konferencës, si rezultat i diskutimeve nga folësit e huaj dhe pjesëmarrësit arritën në përfundimet e mëposhtme:

1. Qeveria Shqiptare dhe organizatat e shoqërise civile në Shqipëri, të vetëdijshëm mbi vështirësitë dhe problemet ekonomiko-sociale me të cilat ndeshet vendi dhe rajoni në përgjithësi e konsiderojnë tejet të rëndësishme mbështetjen dhe nxitjen e ndërmarrjeve sociale, si pjesë e veprimeve të ndërmarra në kuadrin e reformës së një tregu të vetëm dhe në përputhje me Strategjinë Evropa 2020.

2. Sipërmarrësia dhe ndërmarrjet sociale në Shqipëri, ndonëse në fazat e hershme të zhvillimit, konsiderohen si forma të rëndësishme në luftën kundër varfërisë, zbutjes së papunësisë dhe integrimit në tregun e punës të grupeve të disavantazhuara dhe kanë potenciale të konsiderueshme zhvillimi.

3. Në dallim nga shkalla e zhvillimit të sipërmarrësisë sociale në Evropë, koncepti i ndërmarrjes sociale në Shqipëri mbetet relativisht i panjohur përveç një numri relativisht të vogël organizatash që aplikojnë praktika biznesi për qëllime sociale gjatë realizimit të misionit të tyre. Këto organizata që funksionojnë kryesisht si organizata jofitimprurëse (OJF), në pjesën më të madhe janë ose kanë qenë partnerë të organizatave të huaja që kanë operuar në Shqipëri, duke përfituar mbështetje financiare dhe asistencë teknike për një periudhë relativisht të gjatë kohore për aktivitetet e tyre jofitimprurëse. Këto organizata (kryesisht italiane) e kanë promovuar konceptin e ndërmarrjeve sociale tek partnerët e tyre si pjesë e exit strategy, me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë financiare në të ardhmen pas tërheqjes së tyre nga Shqipëria.

4. Për OJF-të shqiptare parimi kryesor motivues për adoptimin e qasjes së ndërmarrjeve sociale është sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjatë duke diversifikuar bazën e financimit nga të ardhurat nga aktiviteti ekonomik, përsa kohë që mbështetja me grante nga qeveria dhe mbështetja nga nismat filantropike kanë qenë dhe mbeten të pamjaftueshme për plotësimin e kërkesave të zhvillimit të shoqërisë civile.

5. Në pjesën më të madhe të rasteve, OJF-të shqiptare gjenden në fazat e hershme të adoptimit të qasjes ndaj biznesit, ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre mbeten ende në fazat e planifikimit të kësaj qasjeje. Sfidat me të cilat ato ballafaqohen lidhen me traditat dhe zhvillimin ende të brishtë të sektorit të tretë, dobësinë e zhvillimit të sektorit privat dhe reformat e vazhdueshme institucionale që po kryhen në Shqipëri prej vitesh. Vështirësi serioze për OJF-të shqiptare që përpiqen të zhvillojnë sipërmarrësinë sociale është mungesa e përvojës praktike nga menaxherët e tyre, drejtuesit ekzekutivë dhe anëtarët e organeve drejtuese. Duke operuar me statusin e OJF-ve, ato mbeten të varura nga grantet e donatorëve të huaj duke mos disponuar burime financiare të akumuluara dhe asete të tjera kapitale. Të gjitha organizatat që aspirojnë të zhvillohen si ndërmarrje sociale në Shqipëri ballafaqohen me ruajtjen e shkallës dhe strukturës së aktiviteteve që ato ofrojnë (veçanërisht me qarkullimin e parasë) sidomos gjatë fazës së parë të zhvillimit të konceptit të tyre të biznesit.

 

Një numër jo i vogël nga këto organizata përpiqen dhe realizojnë aktivitet ekonomik në fushat e kateringut, artizanatit, pastrimit, lëvrimit të shërbimeve postare, turizmit duke u ofruar shërbime komunitetit të cilit i shërbejnë. Në mungesë të një politike të qartë nga qeveria për njohjen dhe mbështetjen e ndërmarrjeve sociale, statusi i tyre jo-fitimprurës konsiderohet jo i përshtatshëm për gjenerimin e të ardhurave nga këto aktivitete. Kjo pasi OJF-të që realizojnë aktivitet ekonomik i nënshtrohen të njëjtave detyrime fiskale sikurse edhe biznesi dhe çdo ndërmarrje tjetër prodhuese, ose tregtare. Problemi kryesor është sidomos aplikimi i TVSH-së ndaj shërbimeve të ofruara, çka përbën një barrë jo të vogël për të ardhurat e pakta që ato gjenerojnë.

6. Përsa më sipër dhe në ndjekje edhe të deklaratave të aprovuara nga institucionet Evropiane për mbështetjen e sipërmarrësisë sociale është e nevojshme që ministritë  përgjegjëse për aktivitetin që lidhet me ndërmarrjet sociale, veçanërisht Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të adoptojnë partneritet me OJF-të dhe me aktorët e tjerë duke stimuluar aktivitetin perspektiv të këtyre ndërmarrjeve me kuadrin e nevojshëm ligjor dhe politikat sociale mbështetëse. Në këtë kuadër, shqyrtimi dhe dërgimi në Kuvend për miratim i projekt-ligjit të propozuar nga Forumi Shqiptar i Ndërmarrjeve Sociale do përbënte një shtysë të rëndësishme në zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri.

7. E rëndësishme mbetet gjithashtu edhe mbështetja financiare nga instrumente të veçantë si dhe asistenca e tipit knoë-hoë nga ana e institucioneve publike pergjegjëse, përmes operimit të instrumenteve të ndryshëm financiarë, qasjes drejt prokurimeve publike, etj. Kujdes duhet bërë gjithashtu ndaj hartimit dhe zbatimit të rregullave jo-diskriminuese të tregut për të garantuar operimin normal të ndërmarrjeve sociale në raport me entet e tjera tradicionalë të biznesit.

8. Si në çdo fushë tjetër, për zhvillimin e sipërmarrësisë sociale është i nevojshëm inkurajimi dhe zhvillimi i partneritetit mes institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal, organizatave të shoqërisë civile, organizatave të biznesit, universiteteve dhe institucioneve arsimore, dhe aktorëve të tjerë të interesuar me qëllim forcimin e kapaciteteve, identifikimin dhe zhvillimin e politikave novatore që mundësojnë zhvillimin dhe fuqizimin e  ndërmarrjeve sociale në Shqipëri.