Foto e artikullit

Ministrja e Kulturës takohet me 35 të rinj shqiptare dhe serbë. Bashkëbisedimi ndërkulturor në epokën digjitale të komunikimit

“Mirëseerdhët!  Dobro došli!  Welcome!- Me këto fjalë, Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro  u uroi mirëseardhjen 35  të rinjve shqiptarë e  serbë, pjesëmarrës në  Shkollën Verore “Bashkëbisedimi Ndërkulturor në Epokën Digjitale”.

Në takimin që u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Kulturës në Tiranë, merrte pjesë Kryetari i  i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri,  Ambasadori Florian Raunig.

Shkolla Verore  është një nismë e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë Serbe për Sportin dhe Rininë,  e mbështetur gjithashtu nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.  Kjo shkollë verore  është hapur në datën 26 korrik dhe do të vazhdojë deri në datën 31 korrik, me  pjesëmarrës  të grupmoshave nga 18-26 vjeç.

“Ne mund të këmbejmë informacione , mund të prodhojmë ide që lindin nga ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dy vendeve në aspektin gjuhësor dhe tradicional  dhe këtij informacioni nuk i duhet pasaporta, apo nënshtetësia.  Kultura është një  tokë pa kufi  dhe bashkëbisedimi kulturor në epokën digjitale na i afron akoma më shumë shkëmbimet”- u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në takimin e  sotëm .

Të rinjtë serbë ,  treguan eksperiencën shqiptare të qëndrimit,  duke e cilësuar të rëndësishme në njohjen dhe kuptimin e tjetrit.  Nga diskutimet mes të rinjve, Ministres Kumbaro dhe Ambasadorit Raunig u theksua domosdoshmëria e  bashkëbisedimit kulturor me  mjetet e komunikimit digjital.

“Epoka digjitale dhe komunikimi përmes teknologjisë na afron në kohë reale dhe na bashkon në rrugën e nisur  drejt integrimit evropian, rruga jonë e sigurt dhe e pakthyeshme”-shtoi Ministrja Kumbaro.

Kjo shkollë do të jetë një ndërthurje midis moduleve akademike të drejtuar nga personalitete në fushën akademike dhe aktiviteteve informuese mbi institucionet e rëndësishme në Shqipëri si Ministritë e linjës dhe Kryeministria.

Shkolla Verore do ti krijoje mundësinë të rinjve të shkëmbejnë eksperienca dhe ide në promovimin e angazhimit të rinisë në jetë politike dhe sociale të shteteve të tyre. Kjo shkollë do të zhvillojë aftësitë për bashkëbisedim ndërkulturor të pjesëmarrësve dhe do të mundësojë shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve ndërmjet të rinjve shqiptarw  dhe serbë.