HISTORIKU

Qendra URA, e themeluar në vitin 2008 si organizatë jofitimprurëse, ka si qëllim primar promovimin, ndërgjegjësimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile nëpërmjet ndërhyrjesh të ndryshme nën trajtën e projekteve apo aktiviteteve me tematika sociale dhe kulturore. Në mënyrë specifike qendra merret me rindërtimin e memories kolektive, krijon fushata ndërgjegjësuese mbi problematikat që prekin shoqërinë tonë dhe ndërhyn në mënyrë konstante me projektet dhe me aktivitetet e saj për të përmirësuar mendësitë dhe hendekun që ekziston mes zonave urbane dhe atyre rurale. Një nga pikat e forta të qendrës është edhe realizimi i studimeve sociale të një cilësie të lartë me metodologji akademike të krahasueshme në nivel ndërkombëtar.

Deri në mesin e vitit 2012 aktivitetet e Qendrës URA janë fokusuar në studime, kërkime dhe publikime në fushën e shkencave juridike dhe sociale. Si të tilla, aktivitetet janë realizuar nëpërmjet natyrës pro-bono të mbështetura përgjithësisht nga themeluesit e saj, bazuar edhe në nenin 7, pika 7.2(i) e Statutit të organizatës. URA deri në këtë periudhë kohore nuk aplikoi për fonde të jashtme për të ruajtur pavarësinë akademike që e karakterizonte.

Në 2012-n, URA zgjeroi strategjinë e punës përtej fokusit të kërkimeve. Qendra vijon të zhvillojë dhe të forcojë bazën e saj kërkimore dhe të njohurive, por duke u bazuar tek një linjë aksioni të re ajo synon që të përdorë kërkimet/gjetjet studimore për të influencuar politikat sociale dhe për të kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë. Kjo do të arrihet përmes ngritjes dhe zbatimit të programeve inovative dhe metodave kërkimore më të avancuara. Kësaj linje të re nuk mund të mos i bashkohet edhe formimi i kanaleve të komunikimit konstant me institucionet shqiptare dhe të huaja, me partnerë dhe rrjete të shoqërisë civile dhe me sektorin privat, duke e plotësuar kështu një kuadër të plotë për analizimin e nevojave të territorit.

Qendra URA vazhdoi të jetë prezente në aktivitetet e shoqërisë civile shqiptare duke ndjekur zhvillimet e saj e duke marrë pjesë në aktivitetet e organizuara përgjatë gjithë territorit të Shqipërisë.

Aktivitetet e saj vijuan me përpilimin e një strategjie komunikimi dhe ndërhyrjesh dhe konkretisht me planifikimin dhe implementimin e disa projekteve të rëndësishme që sot e identifikojnë Qendrën URA në Shqipëri dhe më gjerë:

duke filluar nga Projekti

“Fjalë Burri!” - Angazhimi i Burrave dhe Djemve kundër Dhunës me bazë Gjinore në Shqipëri 2012-2013 financuar nga UNDP & UN Women;

“BUNK’ART - 70 vjet pas çlirimit 2014,financuar nga Ministria e Kulturës dhe mbështetur nga Ministria e Mbrojtjes;

“STOP NDOTJE” 2014, financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.

"Festival i Artit të Ndaluar", 2015, financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.

Aktualisht, aktivitetet dhe projektet e Qendrës URA vazhdojnë në mënyrë konstante dhe janë të fokusuar tek kujtesa kolektive, arti dhe kultura, zhvillimi i shoqërisë civile shqiptare në linjë me direktivat dhe programet kombëtare dhe europiane.