Diplomacia gjatë Luftës

Dhoma 05: Diplomacia gjatë Luftës

Ndryshe prej fqinjëve të saj ballkanikë, Shqipërisë nuk i ishte njohur qeveri në mërgim. Si rezultat, ajo nuk u ftua të firmoste Deklaratën e Kombeve të Bashkuara të 1 janarit 1942, e cila mbështetej mbi parimet e Kartës së Atlantikut. Pavarësisht kësaj, në dhjetor 1942, tre ministrat e Jashtëm: të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, përkatësisht Cordell Hull, Anthony Eden dhe Vyacheslav Molotov, deklaruan se e njihnin rezistencën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj dhe u angazhuan për restaurimin e pavarësisë së Shqipërisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Përfaqësuesit e PKJ-së ishin më të pranishmit në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Që nga krijimi i PKSh-së, pranë saj qëndruan të dërguarit e PKJ-së: Dushan Mugosha dhe Miladin Popovici. Këta luajtën një rol shumë të rëndësishëm për organizmin e PKSh-së, por edhe të rezistencës të FNÇ-së.