Shqipëria nën Italinë Fashiste

 

Dhoma 1: Pragpushtimi dhe zbarkimi i Italisë së Musolinit në Shqipëri

Projekti për pushtimin e Shqipërisë ishte fillimisht një iniciativë personale e ministrit të Jashtëm të Italisë, kontit Galeazzo Ciano, njëherësh dhe dhëndër i Benito Musolinit. Në maj 1938, një muaj pasi kishte qenë dëshmitar në dasmën e mbretit Zog, Ciano i paraqiti Musolinit një projekt të detajuar për pushtimin e Shqipërisë.

Planet italiane për pushtimin e Shqipërisë u mësuan nga mbreti Zog në mes të shkurtit të vitit 1939. Ai thirri në Pallatin Mbretëror kryeministrin, Koço Kotten, ministrin e Brendshëm, Musa Jukën, si dhe krerët më të lartë ushtarakë në vend për të hartuar një plan masash për të parandaluar, por edhe për t’u përgatitur për t’i rezistuar pushtimit. Në të vërtetë, asnjë nga këto masa nuk u zbatua. Ushtria shqiptare, e cila ishte në duart e
instruktorëve ushtarakë italianë, ishte e paralizuar.

Dhoma 2: Shqipëria nën Italinë fashiste

Gjatë viteve 1939-1940, pushtuesit italianët ndërmorën një sërë masash për aneksimin politik, ekonomik dhe social të Shqipërisë. Një sërë ligjesh dhe dekretesh zhbënë sovranitetin e shtetit, ndërsa, në mënyrë të sforcuar, u importua fashizmi, ideologjia e pushtuesit.

Nga ana tjetër, nga pushtuesit italianë u ndoq një politikë e kujdesshme, e cila synonte të krijonte një klimë të qetë në Shqipëri, në funksion të planeve të tyre për Ballkanin. Ata ndërmorën një sërë projektesh ndërtimesh publike e fushatash ndihmash sociale, si dhe mikluan sedrën nacionaliste të shqiptarëve, duke nxitur irredentizmin e tyre.

Dhoma 3: Rezistenca shqiptare kundër pushtuesit italian

Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e pranuan pushtimin italian të vendit. Rezistenca, ndonëse e paorganizuar, por këmbëngulëse, e kujdesshme dhe në forma të ndryshme, filloi që në vitin 1939. Më aktivët ishin nxënësit e shkollave dhe një pjesë e profesorëve, të cilët reagonin, veçanërisht, kundër projekteve për fashistizimin e vendit. Në vitin 1941, veçanërisht pas Luftës Italo-Greke, kur shqiptarëve iu desh të përballeshin me pasojat e saj dhe vështirësitë ekonomike, rezistenca u bë më e përgjithshme. Çetat e para nacionaliste, të cilat u bënë pikënisja e një rezistence të armatosur kundër pushtuesit italian, u bënë më aktive.

Dhoma 4: Mbledhja e Mukjes dhe kapitullimi i Italisë

PKSh/FNÇ dhe Balli Kombëtar e kërkonin bashkëpunimin me njëri-tjetrin, por modalitetet e këtij bashkëpunimi ishin të ndryshme. Drejtuesit e PKSh-së kërkonin që Balli Kombëtar të përfshihej si organizatë në FNÇ, ndërsa Balli, i cili nuk e njihte Konferencën e Pezës, kërkonte një bashkëpunim dualist mes tij dhe PKSh-së. Në Konferencën e Labinotit (korrik 1943), Fronti caktoi një komision, të përbërë nga Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi dhe Myslim Peza, të ftonte Ballin Kombëtar në një takim. Gjatë muajit korrik kontaktet u intensifikuan. Përfaqësuesit
e Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar u takuan në fillim në Tapizë (26 korrik 1943) dhe më pas në Mukje (1-3 gusht 1943). Në këto takime u arrit një marrëveshje për bashkimin e forcave në luftë kundër pushtuesit, si dhe u morën vendime të rëndësishme edhe për të ardhmen e Shqipërisë, duke përfshirë edhe njohjen e Shqipërisë Etnike.